Policia greke ka zbuluar dhe asgjesuar dy vitet e fundit 9 fabrika ku prodhoheshin cigare të falsifikuara. Bëhet fjalë për impiante të kompletuara në mënyrë perfekte, deri dhe me ambiente për fjetjen e punëtorëve.

Cigaret paketohen në kutia me sigla të njohura si “Marlboro”, “Muratti” e deri te “Business Royal” dhe shiten në treg me 1,5 euro paketa. Është një biznes tepër fitimprurës, po të merret parasysh fakti që Greqia ndodhet në vendet me nivelet më të larta në botë, sa i përket numrit të duhanpirësve.

Megjithatë, numri i cigareve të shitura në mënyrë të ligjshme ishte vjet 16,7 miliardë, gati përgjysmë në raport me vitin 2009. Në këtë rënie drastike ka ndikuar rritja galoponte e akcizës së duhanit, gjatë viteve të krizës.

Mirëpo, në të njëjtën periudhë, numri i cigareve të shitura në mënyrë të paligjshme u tetëfishua, duke kapur 25% të tregut grek. Por jo vetëm kaq, një pjesë e cigareve të jashtëligjshme eksportohen në tregje si Bullgaria, Rumania, Italia, Spanja e Mbretëria e Bashkuar, duke e privuar shtetin grek nga të ardhura të rëndësishme.

Lexo po ashtu:  Kush ishte “mjeshtri” i modifikimit të silenciatorëve për armët e grupeve kriminale

Vitin e kaluar Greqia humbi 700 milionë euro nga tregtia e paligjshme e cigareve dhe duhanit. Sipas rrjetit ndërkombëtar “KPMG”, nëse kjo shumë inkasohej në arkën e shtetit, do të mund të shmangeshin reduktimet e pensioneve që Greqia zbatoi në kuadër të tre programeve të shpëtimit dhe kapën shifrën 740 milionë euro.

Sipas agjencisë mediatike “Bloomberg”, Greqia konsiderohet “kryeqyteti” i cigareve të falsifikuara në Europë. Prodhuesit e tyre në Greqi investojnë rreth një milion euro për një fabrikë dhe brenda gjashtë muajsh inkasojnë dhjetëfishin e shumës së investuar.

Me një rendimet të tillë, policia greke është e sigurt që, sado të asgjesojë, fabrika të reja do të mbijnë si kërpudhat pas shiut dhe cigaret e falsifikuara do të vazhdojnë të blihen, pavarësisht cilësisë së dyshimtë dhe rreziqeve për shëndetin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *