Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! për prioritetet kryesore të punës së tij nëse fiton zgjedhjet e tetorit, dialogun me Serbinë dhe imazhin e Vetëvendosjes.

Deutsche Welle: Albin Kurti, ju keni qenë gjithmonë kritik i sistemit. Përse keni vendosur tani të merrni pjesë me qeverisjen e Kosovës

Albin Kurti: Ne kemi qenë kritikë nga pozita e një programi progresist, i cili dëshiron ta luftojë krimin e korrupsionin, ta zbusë papunësinë, ta eliminojë varfërinë dhe t’i japë hov Kosovës në integrimet evropiane. Pra, edhe kur kemi kritikuar sistemin, ne jemi nisur nga një ëndërr e jona, nga një vizion e tash duam ta realizojmë si qeverisje e re dhe e mirë, pas zgjedhjeve të 6 tetorit. 

Cili është plani ose strategjia me të cilën keni ndër mend ta luftoni korrupsionin? 

Në bazë të një studimi ndërkombëtar, dhjetë për qind e familjeve në Kosovë japin ryshfete në shërbimet publike, të cilat do të duhej të ishin të garantuara. Kjo përqindje është shumë më e lartë në Mal të Zi, 34 për qind, që do të thotë, se korrupsioni në Kosovë është i përqendruar. Unë besoj që më kollaj luftohet korrupsionin në Kosovë sesa në Serbi e në Mal të Zi. Korrupsioni në Kosovë nuk është kulturë, por është sistem, dhe duhet ta godasim në majat e sistemit, atje ku ai ka çerdhen e tij. Nuk mendoj se është e pamundur. Përkundrazi, mendoj se një lëvizje e jona që e çliron gjyqësorin nga ekzekutivi, do të dëshmojë që suksesi, jo vetëm që është i mundur, por është edhe më i shpejtë sa ç’është menduar. 

Kur erdhët ju në tubim, bashkatdhetarët ju pritën me himnin e Shqipërisë. A nuk është ky një provokim për dikë që dëshiron të bëhet kryeministër i Kosovës? 

Dy të tretat e shqiptarëve në Berlin janë nga Maqedonia e Veriut, po ashtu kemi edhe shumë shqiptarë nga Shqipëria dhe nga Lugina e Preshevës. Ne duam të theksojmë atë çka është e përbashkët për të gjithë njerëzit në këtë tubim: nëse nëpër Ballkan jemi të ndarë nëpër shtete, mërgata jonë është e bashkuar dhe ne këtë edhe e duam, edhe e respektojmë. 

A nuk do të ishte e udhës që të luheshin të tëra himnet e bashkatdhetarëve?

Ai himni tjetër është pa tekst nuk e këndon dot dhe mendoj që mirë është kështu siç është në këtë organizimin që bëmë. Unë i respektoj simbolet e institucioneve të Kosovës në institucione dhe flamurin dhe himnin e Kosovës do ta respektoj nesër, pasnesër, si kryeministër. Mirëpo mërgata jonë e ka të përbashkët përkatësinë në kombin shqiptar, i cili është shumë më i madh sesa është Kosova. Do të ishte gabim po të veprohej ndryshe. 

Berlin Kosovos Albin Kurti Spitzenkandidat der Lëvizja Vetëvendosje
Albin Kurti ne tubim me diasporen e Berlinit

Në vendet evropiane ka ende distancë ndaj jush për shkak të disa pikave radikale në kërkesat tuaja, njëra është për shembull ideja e  Shqipërisë së  bashkuar. Nëse bëheni kryeministër, si do të përballeni me partnerët tuaj evropianë e perëndimorë  për këtë çështje? 

Ne vazhdimisht po themi që prioritet mbi prioritet do të jetë luftimi i krimit dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik me investime të përqendruara në gjenerimin e punësimit, luftimi i pabarazive, krijimi i urave. Ata, të cilët na duan, i përmendin këto gjëra që janë jetike për Kosovën, ndërkaq, ata të cilët dëshirojnë që t’i frikësojnë të tjerët me fitoren e vetëvendosjes, i përdorin këta flamuj të tjerë të vetëvendosjes për “Shqipërinë e Madhe”, kur dihet që “Shqipëria e Madhe” është një nocion i shpikur nga ata që synuan ta realizojnë Serbinë e Madhe. 

Po Shqipëria e Bashkuar? 

Unë besoj që është e rëndësishme të theksohet ajo që e duan qytetarët e Republikës se Kosovës se ka ardhur koha që të mos përjashtohet me parulla koti Lëvizja Vetëvendosje! Bashkimin Kombëtar nuk e do vetëm Lëvizja Vetëvendosje!, e duan të gjithë shqiptarët. Ai është një intensë historike. Por ne, prioritet mbi prioritetet kemi luftimin e krimit dhe të korrupsionit dhe punësimin e të rinjve tanë në mënyrë që ta zëvendësojmë emigrimin me punësim, ta zëvendësojmë korrupsionin me drejtësi dhe diskriminimin me barazi. 

Ju folët për disa parime për dialogun Serbi-Kosovë, cilat janë këto parime? 

Për ne prioritet ka shteti i Kosovës. Pra, nuk mund të ekzistojmë për dialogun me Serbinë, Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj. Është një borxhli i madh ndaj shqiptarëve, dhe ne do të duhet që t’i kemi parimet e një dialogu të përgatitur mirë, e që do të përfshihen shqyrtimet e marrëveshjeve të deritanishme, sa janë realizuar ato dhe cili ishte ndikimi i tyre në realitetin e qytetarëve në Kosovë dhe më pas. Gjithashtu, të shohim se sa mund t’i përgjigjet kërkesave të Kosovës për zhdëmtimet për krimet e luftës Serbia, e cila fatkeqësisht mund t’i ketë ndryshuar mënyrat, por jo qëllimet. Për marrëdhënie të mirë në Ballkan, në frymën evropiane, do të duhet që shumë më tepër të ndryshojë Serbia sesa Kosova. Dialog do të ketë, unë si kryeministër i Republikës së Kosovës do ta marr përgjegjësinë e dialogut, por do të bëj dialog me Brukselin për dialog me Serbinë. Rrjedhimisht, do të jetë mirë i përgatitur, që të mos kemi edhe më shumë dështime. Nuk mund ta paragjykoj tani, por është evidente që  ne duhet të shërojmë pak plagët e shkaktuara nga  qasja e shkëmbimeve territoriale. Prandaj ne mendojmë që për serbët e Kosovës është e drejtë t’ua përmirësojmë kushtet e jetesës, gjë që duhet ta bëjmë edhe për të gjithë qytetarët e republikës. Mirëpo jo edhe për aspiratat e Serbisë. Pra, të mos ketë marrëveshje pa dialog të përgatitur mirë, të mos ketë dialog me harta, dhe të mos ketë presidentë rrotull hartave që shtirren sikur janë gjeneralë ushtarakë në Luftën e Parë Botërore? 

Ju thoni të mos ketë dialog me harta, pra, të mos ketë ndryshim territoresh? 

Ne duam që Serbia ta pranojë qeverinë e Kosovës dhe duam që gjithashtu të na kompensojë e zhdëmtojë për krimet që na ka shkaktuar. 

Ju thatë në tubim se nuk doni të jeni një kryeministër, ku opozita të sillet, siç u sollët ju. Çfarë nënkuptoni me këtë? 

Unë do të jem një kryeministër i një qeverie të mirë, progresive, e cila do ta bëjë të panevojshme një opozitë si puna e Vetëvendosjes në legjislaturat 4,5,6. Po është e vërtetë, si kryeministër nuk do ta dëshiroja ta shoh një opozitë, siç ishte vetëvendosja dikur. Mirëpo as që do të ketë nevojë për një gjë të tillë. 

E keni fjalën për mjetet e dhunës që keni përdorur në Parlament? Jeni penduar për aksione të tilla? 

Ato kanë qenë aksione simbolike tonat kundër bosnjizimit të Republikës sonë dhe për të gjitha veprat e kundravajtjes unë kam mbajtur burg, për dallim prej këtyre që i zhvatën milionat dhe tash i gëzojnë ato pa asnjë ditë burg. 

Ju dëshironi të hyni në një koalicion me LDK-në. A doni patjetër të bëheni kryeministër, apo do të pranonit edhe një post tjetër? 

Më gjashtë tetor ne fitojmë dhe përveçse unë bëhem kryeministër, Vjosa Osmani bëhet kryeparlamentare. 
 

Gjatë kësaj jave, Albin Kurti ishte mysafir në Berlin, ku u takua me një sërë deputetësh nga Bundestagu gjerman dhe simpatizantët e tij në diasporë. 

Nga kundërshtar në mbështetës 

Nga kolegët e simotrës socialdemokrate gjermane, ai deri tani shihej me sy kritik, për shkak të veprimeve aksioniste në parlamentin e Kosovës. Por ky imazh duket se ka ndryshuar: Kryetari i grupit parlamentar të Evropës Juglindore, Josip Juratoviç (SPD), dikur tejet kritik ndaj Vetëvendosjes dhe ish-liderit të saj,  i tha Deutsche Welle-s se Albin Kurti “i ka idetë e duhura për ta nxjerrë Kosovën nga kjo gjendje që sundon prej disa dekadash e ku pushteti ka mbetur në dorë të një klike të dalë prej luftës e që nuk ka qëllim tjetër veç mbajtjen e pushtetit”. Josip Juratoviç dhe Albin Kurti diskutuan të mërkurën në Berlin për të ardhmen e Kosovës, në një panel të përbashkët, të organizuar nga  Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert” dhe dega gjermane e Institutit  Aspen. 

Shpresa për t’i kthyer krenarinë Kosovës

Një tjetër deputet socialdemokrat nga Bundestagu, Stefan Schwarte, mbajti një fjalë të shkurtër në tubimin zgjedhor në Berlin-Neukölln, që u mbajt të mërkurën në mbrëmje dhe i inkurajoi shqiptarët e diasporës që të votojnë për Albin Kurtin. Krahas Kurtit, në tubim folën edhe drejtuesi i grupit parlamentar të VV, Glauk Konjufca dhe kandidatja e re për deputete, Mevlyde Hyseni, si dhe  drejtuesi i fondacionit Friedrich Ebert në Prishtinë, Frank Hantke.

Berlin Kosovos Albin Kurti Spitzenkandidat der Lëvizja Vetëvendosje
Drejtuesi i fondacionit Friedrich Ebert në Prishtinë, Frank Hantke. duke folur ne tubimin e VV ne Berlin.

Shumë shqiptarë të diasporës në Berlin, shumica e tyre studentë ose me arsim të lartë,  shohin te Kurti njëfarë shpëtimtari për ta nxjerrë Kosovën nga ngërçi i korrupsionit. Njëri syresh, Xhemshi Berisha, një përfaqësues i angazhuar i diasporës, sheh se tani ka ardhur koha e Vetëvendosjes dhe ka vendosur që këtë radhë t’ia japë VV një shans për të dëshmuar aftësitë e saj. 

“Unë pres nga qeveria e Albin Kurtit që Kosovës t’i hiqet perdja e keqe Kosovës dhe t’i sillet krenaria popullit, duke vënë një sistem të ri në pushtet, ku vlerat përcaktojnë njerëzit e ku detyrat shpërndahen sipas meritave, dhe jo sipas ndërhyrjeve”, i tha Berisha Deutsche Welles. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *