Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 27-vjetorin e masakrës në Lubizhdë të Hasit, duke rikujtuar krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Përmes një postimi, Kurti shkruan se më 12 prill të vitit 1999, forcat e Batalionit të Dytë të Motorizuar 549 të ushtrisë jugosllave rrethuan zonën ku ishin strehuar banorët shqiptarë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe duke i nënshtruar ata torturave dhe ekzekutimeve.
Ai rikujtoi dëshmitë e të mbijetuarve, të cilët kanë rrëfyer për barbarinë e ushtruar, përfshirë tortura, maltretime, dhunime, dëbime dhe shkatërrime pronash, duke e cilësuar këtë si krim shtetëror të Serbisë.

Sipas tij, gjatë mesit të prillit 1999, nga fushatat e spastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë, u vranë 40 civilë të paarmatosur, ndërsa 14 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë dëshmorë në mbrojtje të popullatës civile.
“Si sot, 27 vite më parë, më 12 prill të vitit 1999, forca të shumta të Batalionit të Dytë të Motorizuar 549 të ushtrisë jugosllave, i rrethuan malet ku ishin strehuar shumë nga banorët e fshatit Lubizhdë të Hasit. Pasi i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët e tyre, ushtarët serbë filluan t’i torturonin teksa i radhitën në rresht për t’i pushkatuar. Të mbijetuarit e kësaj masakre, kanë rrëfyer pastaj barbarinë e këtij krimi shtetëror të Serbisë ndaj banorëve të Lubizhdës së Hasit, përshkuar nga ekzekutime të planifikuara, tortura, malltretime, plaçkitje, dhunime, dëbime dhe shkatërrim pronash.
Gjatë atyre ditëve të mesit të prillit të vitit 1999, nga fushatat kriminale të spastrimit etnik dhe gjenocidit që Serbia po kryente ndaj shqiptarëve në Kosovë, u vranë 40 civilë shqiptarë të paarmatosur. Ndërkaq, në përballje me forcat serbe dhe në mbrojtje të civilëve, ranë dëshmorë 14 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Jetët e dhëna për çlirimin e Kosovës janë vlerë sublime në themelet e lirisë së popullit dhe shtetndërtimit të republikës sonë.
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të rënë për lirinë e atdheut!”, ka shkruar Kurti.
