Letër e hapur njerëzve të Drejtësisë: Shtet i së drejtës apo bandë e madhe plaçkitësish

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

Fatos Lubonja

Zonja dhe Zotërinj të Drejtësisë,

Po e filloj duke ju rikujtuar një anekdotë që vjen nga antikiteti e që shpresoj se shumë nga ju mund ta kenë hasur në tekstet e studimeve për drejtësi:

Flota e një mbreti të fuqishëm kapi në det një anije pirate dhe e çoi kryepiratin të gjykohej para mbretit. Ishte një kohë kur mbreti kishte pushtet absolut, domethënë bënte edhe ligjvënësin edhe gjykatësin.

“Me ç’të drejtë e zapton ti detin dhe plaçkit në të?” – e pyeti mbreti piratin.

Ky, duke u ndjerë i pashpresë, mori guximin dhe i tha:

“Me të njëjtën të drejtë që zapton dhe plaçkit ti, por unë e bëj vetëm me një anije dhe quhem plaçkitës, kurse ti e bën me një flotë të madhe dhe quhesh mbret.”

Sikurse shpresoj ta dini, kjo anekdotë ngre një çështje themelore lidhur me të drejtën. Shën Agostini e ka formuluar në formën e pyetjes: Çfarë do të ishte një shtet pa të drejtën, përveçse një bandë e madhe plaçkitësish? Ose ndryshe: pa të drejtën, një bandë plaçkitësish a nuk do të ishte veçse embrioni i një shteti?

Lexo po ashtu:  Tri shpërpjesëtimet e Shqipërisë

Besoj se nuk është nevoja të zgjatem me ju për sa i përket kuptimit ligjor, politik e moral të kësaj anekdote. Por nuk mund të rri pa ju kujtuar historinë tonë. Kam parasysh bandën e madhe të Enver Hoxhës që u bë shtet dhe i shkaktoi për afro gjysmë shekulli popullit shqiptar krime me pasoja të pariparueshme, duke i plaçkitur deri edhe jetën, dinjitetin dhe lirinë. Në prizmin e kësaj anekdote nuk mund të mos kujtojmë se një nga instrumentet kryesore që përdori kjo bandë kanë qenë pikërisht organet e drejtësisë: hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët.

E pra, zonja dhe zotërinj të drejtësisë, kanë kaluar 36 vjet nga rënia e atij regjimi dhe populli shqiptar është ngritur në një protestë masive që mori nismën pasi rojet e një oligarku të qeverisë tërhoqën zvarrë një qytetar që protestonte, sepse po i plaçkitnin pronën – dhe e gjitha kjo në sytë pasivë të policisë së shtetit. Ashtu siç e kuptoj unë, empatia ndaj këtij protestuesi buron nga fakti se shqiptarët vazhdojnë të vuajnë nën sundimin e një shteti-bandë të madhe plaçkitësish që, me krimet dhe padrejtësitë e tij, po ua bën vendin gjithnjë e më të pajetueshëm.

Lexo po ashtu:  Rama “i dha leje” Mistotakis për detin. Ku qëndron problemi?

Zonja dhe Zotërinj të Drejtësisë, kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij; ato bien edhe për ju. Pyetja që ngrihet sot është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie për të cilën flet Shën Agostini dhe që në Kushtetutën tonë formulohet me fjalët: “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” Apo, si në kohën e Enver Hoxhës, jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?

Personalisht, kur ma kanë ngritur këtë pyetje, jam përgjigjur se, me hir apo me pahir, anija e drejtësisë vazhdon të lundrojë në krah e jo kundër anijeve të plaçkitësve, pra jashtë kufirit të së drejtës. Madje, me përqendrimin gjithnjë e më të madh të pushtetit në duart e Edi Ramës, kapërcimi i këtij kufiri po bëhet gjithnjë e më skandaloz.

Argumentet e mia i kam shprehur duke ngritur pyetjet: A do të kishte ndodhur kjo protestë sikur drejtësia të kishte bërë punën e vet? Jo. Edhe vetë ngjarja e Zvërnecit nuk do të kishte ndodhur, pasi të dhënat për padrejtësitë e të përfshirëve aty kanë vite që janë bërë publike, ashtu si edhe natyra kriminale e kësaj qeverie dhe e klientëve të saj.

Lexo po ashtu:  Si fshihet propaganda serbe pas portaleve “nacionaliste” shqiptare

Po ashtu, sikur të mos e kishte anijen e drejtësisë në anën e vet, a do të guxonte kryeministri të jepte leje për grataçiela e resorte për pastrimin e parave të drogës dhe më pas të sfidonte protestuesit? A do të guxonte të shkelte Kushtetutën duke derdhur 4 milionë euro nga fondi rezervë për të sponsorizuar një antiprotestë? Jo. Prandaj, që në ditën e parë të protestës kam bërë thirrje që ajo të drejtohet edhe nga selia e SPAK-ut.

Mirëpo vë re se ndër protestuesit, veçanërisht të rinjtë, vazhdon të mbizotërojë shpresa dhe besimi se ju do të veproni në emër të së drejtës dhe jo në interes të plaçkitësve.

Do të doja shumë të jem gabim dhe ata të kenë të drejtë. Koha do ta provojë. Megjithatë, duke ju kujtuar se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, desha t’ju ve në dukje se ky moment historik do të përcaktojë qartë fizionominë ligjore, politike dhe morale të veprimeve e mosveprimeve tuaja, duke u treguar shqiptarëve nëse anija e drejtësisë shqiptare noton brenda kufijve të së drejtës apo jashtë tyre, së bashku me bandën e madhe të plaçkitësve.

Fatos Lubonja
Shkrimtar, gazetar, ish i dënuar padrejtësisht nga dy gjykata të regjimit të Enver Hoxhës.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com