Luan Rama

Dhe muzika është gjithashtu një letër dashurie… E tillë ishte pikërisht dhe ajo “Adagietto” e Gustav Mahlerit që dëgjova një mbrëmje në skenën e Orkestrës Filarmonike të Parisit, në La Villette, nën drejtimin e Mikko Franckut. Atë “Adagietto” e kisha dëgjuar më parë në filmin “Vdekje në Venecie”. Ç’mrekulli! Ishte një letër dashurie e Mahlerit për gruan e tij Alma Schindler, të cilën sapo e kishte njohur dhe ku që të dy kishin rënë nën sharmin e njëri-tjetri.

Jo, nuk isha në Lido, si dikur, kur shikoja vendet ku kishte xhiruar Visconti filmin e tij fetish… isha para atyre instrumentistëve virtuozë që më prehnin shpirtin me një nga meloditë më të bukura të botës. Po, intrumentistët, me violinat, violonçelët, basët e kordat e tyre luanin duke lexuar një letër dashurie të mjeshtrit të madh Mahler, apo duke e rishkruar atë me instrumentet e tyre, një letër që të merrte me vete me gjeninë e vet.

I lumturi dhe i mjeri Mahler, nën sharmin e një prej grave më joshëse të Vjenës dhe po ashtu e dashura e Klimtit në tablonë e tij “Puthja”, Alma Schindler, ishte jo vetëm sensuale, por dhe një pianiste e muzikante mjaft e talentuar që ëndërronte të ishte gruaja e parë që do kompozonte një operë. Kjo “Adagietto” (Sehr langsam) e madhërishme, u shkrua nga Mahleri në vitet 1901-1903, kur ai sapo kishte mbaruar “Marshin e vdekjes” (Trauermarsch) meqë i sëmurë mendonte se do të vdiste.

Lexo po ashtu:  Anton Chekhov, - “Dija s’ka asnjë vlerë përderisa nuk vendoset në praktikë.”

Por jo! Me të ndodhi mrekullia.

I dukej se dashuria e risolli në jetë. Prandaj, dhe kjo mrekulli muzikore puthi sytë e tyre. Dëgjojmë Mahlerin dhe na duket se në këto lëvizje muzikore, me një gëzim ngjyrë purpuri e okre, ai ecën bashkë me flladin, përshkon kopshtin për të shkuar drejt Almës, ta zgjoje dhe t’i tregojë vjeshtën e artë… por, Alma flë, dremitet dhe Mahler nuk do ta zgjojë..

Dhe ai shkon hipur në njëzetë harqe violinash… Dëgjojeni këtë “Adagietto”, është diçka nga më pasionantet (Liebenschaftlich), është një nga ato mrekulli që të lehtësojnë shpirtin, që të mëkojnë plagët, që të lehtësojnë trupin edhe sikur të jesh në shtratin e vdekjes. Një letër e magjishme dashurie…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *