Nga prof. dr. Hakif Bajrami
Nëse vlerësoni gazetarinë tonë të pavarur, na mbështetni me një "kafe" simbolike për të mbajtur Mekuli Press të lirë nga çdo ndikim!
☕ Mbështete sot MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare(Dokumenti që ia dridhi themelet diplomacisë evropiane në Konferencën e Londrës 1913)!
Mizoritë serbe janë më së miri të faktuara nëpër dokumentet serbe, ku ata lavdërohen për krimet që po ushtrojnë si eksperimente kryqëzate ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Ato dokumente patëm filluar t’i botojmë më 1977, por na u ndalua botimi i tyre me arsyen se “ende janë nën embargo të përpunimit”. Megjithatë, në vijim i botuam gati të gjitha programet dhe tregtinë me qeverinë turke si aprovime të Konventave më 1933, 1934, 1938, pa ndryshuar asgjë. Po më 1977 në DASIP B.F. “Maramba” e gjetëm informatën e Lazër Mjedës në gjuhën italiane. Meqë kishim dhe kemi marrëdhënie shumë të mira me Ipeshkvinë e Kosovës, ne nuk e botuam ashtu siç e botuam Peticionin e tre priftërinjve shqiptarë Shtjefën Kurti, Luigj Gashi dhe Gjon Bizaku, për shkakun se përputhej me Projektin Kosova 1918-1941.

Ndërsa Projekti “Kosova 1912-1914” u aprovua më vonë. Këtë temë-projekt e mori një serb (Gj. Rustiq), i cili shumë të dhëna nga Arkivi Diplomatik i Serbisë i bllokoi për rreth 30 vite. Sa u takon mizorive serbe gjatë viteve 1912-1914, tani e botojmë Informatën e Lazër Mjedës më 24 janar 1913, prift shqiptar, me seli në Shkup. E vërteta, botimin e Konventës Jugosllavo-Turke 1938 e botova në Gjurmime Albanologjike më 1980, në saje të këmbënguljes së Rexhep Qosjes dhe guximit të redaktorit Xheladin Shala.
Informata më e plotë atëherë, më 1913/14, është botuar në Vjenë nga hebreu Leo Freundlich, Golgota shqiptare (Kafkat shqiptare 1914). Këtë dokument e përktheu Faik Mehmeti në gjuhën shqipe dhe filluam ta citojmë nëpër libra. Informata e Lazër Mjedës dhe Leon Trockit për mizoritë serbe ndaj shqiptarëve janë individuale, të cilat i kanë parë me sy, ose ua kanë sjellë bashkëpunëtorët nga terrenet e Vilajetit të Kosovës. Ndërsa informata e Leo Freundlich-ut është hulumtuar nga gazetat e Evropës dhe mbetet si informata më e plotë e zbuluar deri më tash.
Ekziston edhe një informatë e njohur për krimet serbe gjatë Luftës Ballkanike e botuar në gazetën prestigjioze në SHBA, por atë informatë nuk e shpërndanë nëpër Vilajet sepse konsiderohej se është prodhim i Konfeksionit Protestant.
Informata të shkruara nga persona të religjionit islam janë të shumta. Ato janë të shkruara me germa arabe dhe për shkak të mungesës së njohjes së gjuhës dhe alfabetit shqip kanë mbetur jashtë çdo citimi, fakt ky që mbetet si një gabim i të gjithë neve që jemi marrë me këtë problematikë. E kur jemi këtu, njerëzit kompetentë të gjuhës dhe germave arabe nuk kanë dashur të bashkëpunojnë me ne sepse e lavdëronin ish-okupatorin osmanli dhe nuk donin ta akuzonin as okupatorin e ri, Serbinë parafashiste.
Këtë dokument të Lazër Mjedës e ka përgatitur së pari për botim Adil Fetahu në Radion Kombëtare KOSOVA E LIRË. Dokumentet nëpër arkiva flejnë të qeta derisa ndonjë gjurmues t’i zbulojë. Atëherë fillon jeta e tyre e mundimshme sepse, nëse nuk ka të tjera, dikush edhe nuk u beson. Po pse t’i besonte atëherë Qeveria serbe që ishte autore e aparteidit ndaj shqiptarëve, që nuk ishte e vetmja akuzë pse e kishin pranuar Islamin, por akuza dhe kërcënimet shkonin deri aty për t’ua grabitur shqiptarëve dheun e tyre pellazgo-arbëror. Prandaj, serbët e kanë pasur dhe e kanë bekimin e Evropës; edhe pse feja kryesore e saj sot është krishtërimi, shumë thellë janë të hasmuar ndaj Biblës, protestantizmit, katolicizmit dhe islamizmit.
Lazër Mjeda (1869 – 1935)
Ky prift katolik shqiptar shërbeu si arqipeshkv në Ipeshkvinë e Shkupit prej vitit 1909 deri më 1921, kur u kthye në vendlindjen e tij, në Shkodër, në detyrën e arqipeshkvit deri në vdekje. Gjatë kohës së Luftës Ballkanike, ishte i detyruar t’i raportonte Vatikanit për ngjarjet në dioqezën e Shkupit e Prizrenit. Një raport mbi krimet e ushtrisë serbe të kryera në dioqezën e tij, Mjeda ia kishte dërguar Vatikanit më 24 janar 1913. Të dhënat që përmbante raporti i Mjedës i kishte marrë më vonë publicisti austriak, Leo Freundlich dhe i kishte përfshirë në librin e tij, “Golgota Shqiptare”, të botuar në vitin 1914.
Raporti i Lazër Mjedës, dërguar Vatikanit:
“Besoj se do t’ju ndihmoj shkëlqesi me këtë raport të përgatitur me ndihmën e bashkëpunëtorëve të mi, klerikët Gjyzepe Ramaj dhe Don Paskal Krasniqi, të cilët më kanë informuar për krimet e ushtrisë serbe kundër shqiptarëve, të kryera në Dioqezën time. Këtu janë përmendur vetëm një numër i vogël i mizorive të kryera në viset e okupuara nga Serbia. Klerikët e kanë vështirë të marrin të gjitha informatat, sepse komunikimi midis ekzarkive është ndërprerë dhe është rrezik i madh të flitet për to. Kjo që është shkruar këtu janë nga deklarata autentike të dëshmitarëve të atyre ngjarjeve, apo prej një numri të madh të njerëzve.
Nuk kursehen as fshatrat kudo që ishin të qeta. Ushtria serbe ka raportuar se si i ka sulmuar fshatrat shqiptare. Një zyrtar i ushtrisë serbe ka treguar kështu: Ata që nuk kishin ikur para se të vinim ne, ishin fshehur nëpër tavanet e shtëpive. Kur i kemi vërejtur, kemi filluar djegien e shtëpive dhe fshatrave, dhe kur flaka kaplonte tavanet, ata dilnin nga strehimi. Kur dilnin, duke ikur nga flaka, ne i vrisnim me pushkë, ndërsa për fëmijët e vegjël nuk harxhonim municion, për ta përdornim bajonetat. Sipas tregimit të ushtarit serb, këtë e paskan bërë për shkak se dikush prej atyre shtëpive paska gjuajtur mbi ushtrinë.
Mizoritë serbe në Shkup
Siç dihet, në Shkup ushtria serbe ka hyrë pa ndonjë rezistencë as luftë. Por, pesëmbëdhjetë ditë rresht, për çdo natë i hidhnin nga urat e Vardarit nga 20 – 30 shqiptarë. Në Kalanë prapa qytetit është hapur një gropë e madhe, në të cilën janë hedhur trupat e më se njëqind myslimanëve (shqiptarëve – hb). Gropa tjetër gjendet në Kisella Voda, jo larg qytetit të Shkupit, në të cilën deri tash janë hedhur trupat e tetëdhjetë shqiptarëve. Shqiptarët e plagosur janë lënë nëpër spitale të vdesin nga uria, e të shumtë janë ata që i kanë përpirë valët e Vardarit.
Një ushtar (serb, v.j.) më ka treguar se një ditë i kishin zënë 130 robër, prej të cilëve vetëm një ishte i plagosur; ditën e dytë kishin mbetur tetëdhjetë, ndërsa ditën e tretë vetëm 30, dhe pas kësaj dite askush nuk e di se ku kanë mbaruar. Një natë u vranë dy shqiptarë të cilët po kalonin qetas rrugës kryesore. I vrau një komandant i dehur, i cili paraprakisht kishte pirë në hotel. Korpusi i inxhinierisë së ushtrisë serbe e kishte sjellë në vendin e krimit një kalë të ngordhur, që ky të ishte shkak i vrasjes. Tre shqiptarë u therën me bajoneta në afërsi të Vardarit, vetëm pse kishin guxuar të kalonin magjistrales publike. Një numër i madh i trupave janë hedhur nëpër bunare; janë 38-40 puse të mbushura me trupa të shqiptarëve.
Vjedhjet dhe plaçkitjet janë dukuri e rrugëve të përgjakura dhe shtëpive të djegura
Kriminelët mendjesëmurë vjedhin, plaçkitin, dhunojnë gratë në mënyrën më barbare. Burrat detyrohen t’ua mbajnë llambat e të shohin se si po ua dhunojnë gratë e vajzat, madje edhe aso të moshës 12-vjeçe. Një serb i ri, i cili mezi qëndronte në këmbë, tha: Sa keq që po i vrasim me bajoneta, por përndryshe do të shpenzonim municion.
Ç’është më keq, serbët e Shkupit i pritën ushtarët me raki, e kur këta deheshin, sulmonin e hynin nëpër shtëpi të shqiptarëve e kryenin krime gjithfarësh. Pesë fshatra të rrethinës së Shkupit u dogjën tërësisht, ndërsa flaka e tyre shihej nga qyteti tri ditë rresht.
Krimet në lokalitetet e tjera
Në Tërstenik janë vrarë 60 vendas, në Gurçiq 10, në Siriniq 32, në Verban 20, në Lubizhdë 19 dhe në 50 familje të Komogllavës u vranë të gjithë meshkujt. Kur ka kaluar ushtria serbe nëpër këto anë, vendasit kishin dalë për t’i përshëndetur, që pastaj i lidhën dhe i vranë pamëshirshëm. Ata që shpëtuan nga pushkatimi, përfunduan të therur me bajoneta.
Krimet në Tetovë dhe rrethinë
Në Tetovë 85 shqiptarë që u gjetën në shtëpitë e tyre u vranë. Edhe atje, sikur në Shkup, plaçkitje dhe krime të tjera.
Krimet në Gostivar
Në Gostivar komandanti serb kishte kërkuar 200 dukatë, nëse duan ta shpëtojnë qytetin. Pasi qytetarët kishin tubuar dhe ia kishin dorëzuar arin e kërkuar, në atë qytet ishin vrarë vetëm 6 veta, por dy fshatra të rrethit të Gostivarit nuk kishin shpëtuar.
Krimet në Mitrovicë
Për Mitrovicën nuk kemi informata se çfarë po ndodh atje, ndonëse flitet se po ndodhin masakra të llahtarshme. (Për Mitrovicën flet një prift serb i cili lavdërohet se ushtarët e mbretit tonë me një plumb po i vrasin edhe nga 9 shqiptarë. Ka oficerë që po lavdërohen se pushkatarët e tyre po i vrasin nga afërsia me duar të lidhura edhe nga 10, 11 dhe maksimalisht 12 arnautë. Ky që i ka vrarë 12 arnautë është dekoruar me kryqin e Sveti Savës dhe të mbretit. Me këtë intensitet do të vazhdojmë dhe deri më 28.VI.1913 në Gazimestan do ta përmbyllim fushatën e therjes së arnautëve)* (Informata e popit të Rashkës dërguar Komandantit të Armatës III më 12 prill 1913).
Krimet në Ferizaj
Në Ferizaj vetëm tre myslimanë mbi moshën 15-vjeçare kanë shpëtuar. Atje është zhvilluar një luftë e ashpër për 24 orë rresht dhe janë vrarë edhe shumë ushtarë serbë. Një serb më ka thënë se janë vrarë 1200 shqiptarë në fshatrat e rrethit të Ferizajt. Gratë janë dhunuar.
Krimet në Gjilan dhe rrethinë
Edhe në Gjilan, ndonëse nuk ka pasur luftime, kanë ndodhur masakra dhe plaçkitje.
Krimet serbe në Prishtinë dhe rrethinë
Në Prishtinë vlerësohet se janë vrarë mbi 5000 shqiptarë. Thonë se atje shqiptarët e udhëhequr nga një oficer turk kanë keqpërdorur flamurin e bardhë dhe pastaj kanë vrarë një numër të madh të ushtarëve serbë, e këta pastaj janë hakmarrë. (Kjo informatë përsëritet edhe për Tetovë dhe Kumanovë – hb aty).
Krimet në Loshkobare të Ferizajt
Në Loshkobare, afër Ferizajt, janë vrarë tetë shqiptarë katolikë, të cilët ishin duke ecur rrugës së vet, të paarmatosur.
Krimet në Prizren dhe rrethinë
Qyteti i Prizrenit është dorëzuar pa luftë, por kjo nuk i ka shpëtuar qytetarët nga masakrat. Qyteti është përplot ushtarë dhe banda komitësh të cilët vrasin pa pyetur, vetëm nëse shohin se je shqiptar. Për disa ditë nuk u është lejuar as varrosja e rreth 400 të vrarëve. Plaçkitjet, vjedhjet e dhunimi i femrave sikur gjithandej ku ka hyrë ushtria serbe.
Komandanti Bozhidar Jankoviq me revole në dorë i ka detyruar prijësit e qytetit t’i dërgojnë mbretit Petar urimet e tyre. Ishte festa e Bajramit dhe në qytet kishin arritur 800 desh e dele (për kurban, v.j.), të cilat i konfiskoi ushtria për nevojat e veta dhe nuk u la festimin e Bajramit.
LUMA E MASAKRUAR NGA BANDAT SERBE
Komandanti u kishte urdhëruar ushtarëve të marshojnë në drejtim të Lumës, por ata nuk kishin mjaft kuaj, prandaj i mblodhën 200 burra të rinj shqiptarë, të cilëve u ngarkuan në shpinë nga 50 kg ushqime e gjëra të tjera, dhe natën nëpër rrugë me baltë i detyruan të udhëtojnë më se shtatë orë. Një grua katolike që kishte ardhur në Prizren bashkë me djalin e saj dhe dy kushërinj, për të blerë gjësende për fejesën e vajzës, i torturuan keq. Ajo kishte marrë te komandanti leje që të mos pengohej gjatë kthimit, por sapo kanë arritur në fshatin Zhur, i ka ndalur ushtria, të cilët s’kanë dashur të dëgjojnë për lejen me shkrim, i kanë lidhur që të katërt, ua kanë kontrolluar rrobat e blera, duke i rrahur me kondak pushke i kanë sjellë deri te gropa; të tre burrat i kanë pushkatuar e hedhur në gropë. Gruaja i kishte lutur ushtarët që ta vrisnin edhe atë, pasi ia vranë djalin, por nuk e vranë, vetëm se e kishin lidhur për një druri, e një ushtar i kishte marrë nga “torba” një simite (bukë), në të cilën ia kishte futur dy fishekë të pushkës, duke i fajësuar të vrarët se paskan kontrabanduar fishekë në bukë. Pas tre ditëve që e kishin mbajtur gruan të lidhur, e shpien në Prizren, e fusin në burg me akuzë se ka bartur fishekë në bukë.
Bukëpjekësin Gjoni, i biri i Prekës, në Prizren e vranë ushtarët, ngase e kishin gjetur një pushkë mbështetur për muri jashtë furrës, të cilën e kishte lënë një ushtar serb. Në Prizren qytetarët vriteshin edhe vetëm sa për t’ua marrë këpucët. Një ushtar kishte thënë: duhet ta dini që plani ynë është të shkatërrojmë shqiptarët. Shumë fshatra në rrethin e Prizrenit janë djegur në flakë, ndërsa njerëzit janë vrarë. Tri fshatra të banuara me shqiptarë katolikë janë djegur, me pretekst se këta e kanë përkrahur Austrinë, armikun e Serbisë. Ushtarët kanë hyrë në shtëpitë e katolikëve, kanë ngrënë e pirë derisa janë dehur, i kanë detyruar gratë të vallëzojnë dhe i kanë dhunuar e vrarë. Kur ishte informuar se fiset e Lumës nuk do ta lejonin ushtrinë serbe të kalonte andej, komandanti B. Jankoviq i kishte shpallur “racë e ulët”, të cilët duhen vrarë të gjithë. Ushtria serbe gjatë kalimit kishte djegur 27 fshatra, duke mos kursyer as gra e fëmijë. Fëmijët i merrnin prej duarve të nënave, i futnin në kashtë dhe i digjnin për së gjalli. Me bajoneta shqyenin barkun e shtatzënave dhe vrisnin fëmijët e palindur. Këtë s’mund ta marrë njeriu me mend, por është e vërtetë. Katërqind njerëz të Lumës ishin dorëzuar, me shpresë se do të shpëtonin gjallë, por ata ushtria i kishte dërguar në Prizren dhe atje thereshin nga 40 deri 60 veta për çdo ditë, derisa i vranë të gjithë. Një dëshmitar tregon se rreth Prizrenit janë mbi 1500 kufoma të pavarrosura dhe kjo është arsyeja që ushtria nuk lejon gazetarët e huaj të hyjnë në Prizren.
PEJA DHE RRETHINA SHNDËRROHEN NË KREMATORIUM
Nga Peja me rrethinë nuk kemi lajme, por besojmë se edhe atje i ka gjetur fati i njëjtë.
Rasti i Gjakovës është i jashtëzakonshëm dhe rrëqethës. Ushtarëve u janë lënë duart e lira të bëjnë ç’të duan me njerëzit, me gratë e me fëmijët dhe të plaçkitin çfarë të duan. Atje së pari ka hyrë ushtria malazeze e pastaj ajo serbe. Famullitari i Shkupit më ka treguar se si i paska thënë një ushtar serb që ka ardhur pas ushtrisë malazeze, se ka parë gra e fëmijë të prerë. Një ushtar tjetër serb, duke menduar se jam vendas i tij, me shumë entuziazëm më tha se pak fshatra të rajonit të Tetovës, Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Gjilanit, Ferizajt, Prizrenit, Gjakovës dhe të Pejës kanë mbetur pa u djegur. Atyre gjithkund ua kemi futur flakën. Kjo është e vetmja mënyrë t’i qërojmë hesapet me shqiptarët, ka thënë ushtari serb. Një oficer serb ka pohuar se 75% të shqiptarëve duhet të vriten. Vetëm në Vilajetin e Kosovës, deri më tash numri i të vrarëve ka arritur në 25,000. Thonë se të krishterët e lirë duhet t’i zhdukin myslimanët barbarë. Gjithsesi kjo mund të quhet luftë kryqëzate pravosllave për zhdukjen e shqiptarëve”, përfundon raporti i arqipeshkvit të Shkupit, Lazër Mjeda, dërguar Vatikanit më 24 janar 1913; Congregazione di Propaganda Fide, Rome, APF, Nuova Serie, Rub.109 Vienna 1913, f. 176-182.
Shih detalisht: Një ditar i Kryeimamit të Shkupit që gjendet në Fondin: AVII B P. IV-Treça Armiska Oblast; Bozhidar Jankoviq, Po Kosovu je izvrsila svoj zadatak stoleça – Dokumenti është zbuluar në AVIIB P. 17. Ku thuhet se: “në Vilajetin e Kosovës janë privuar nga jeta rreth 130,000 arnautë.
Detalisht se politika e krimit nuk ndalet edhe pas kapitullimit të Austro-Hungarisë më 1918, shih: Dva meseca u Jugosllovenskom Sibiru, dokumentin na e ka siguruar pas një hulumtimi të gjatë një antifashist shqiptar më 1978. Nuk është botuar, por është përdorur si material referencial. Dokumenti i botuar argumenton se Serbia për çdo TRE muaj organizon ushtrime ushtarake, krejt në prapavijë për ta frikësuar popullsinë shqiptare të Pejës, Gjakovës, Prizrenit me rrethinat; pasi të mbarojnë këto ushtrime, pasojnë manovrat me të njëjtin qëllim në vijën: Kaçanik, Ferizaj, Prishtinë, Vushtrri, Mitrovicë. Këto manovra organizohen me ushtri dhe xhandarmëri të dyfishuar. Gjatë ushtrimeve ngjan që në rrugë vriten udhëtarë për asgjë, vetëm pse e mbajnë PLISIN në kokë. Në Kosovë e kemi edhe këtë fenomen. Aty vriten barinjtë, u grabitet bagëtia, ndërsa nëpër shtyp figuron se ato bagëti i kanë dëmtuar ujqit dhe egërsirat e pyllit. Do të shtoja se ato bagëti i kanë dëmtuar ata që flasin gjuhën shtetërore. Ja, kjo është pasqyra e shkurtër e “çlirimit të viseve jugore”, shkruan Kosta Novakoviq).
Shkrimi i kushtohet: Akademik Prof. Dr. Ali Hadrit; Fadil Hoxhës, që tinëzisht na furnizonte me dokumente që i kishin dhuruar shokët e tij kroatë dhe sllovenë; gjurmuesit të dokumenteve nëpër arkiva dhe biblioteka: Prof. Dr. Liman Rushiti, Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës 1918-1928 (LËVIZJA KAÇAKE NË KOSOVË 1918-1928, Prishtinë, 1981, botim i Institutit të Historisë; Akademik Prof. Dr. Bogumil Hrabakut, autor i dhjetëra librave për shqiptarët ku shquhet libri: Eksportimi i drithërave nga shteti i Skënderbeut, në 654 faqe. Hrabaku që më 1971 e posedonte letrën e Lazër Mjedës!).
Shënim: ky shkrim është lektoruar nga #MekuliPress
