Disa media në Tiranë kanë përcjellë sot reagimin e kryeministres të Serbisë, Ana Brnabiç, ndaj letrës që disa përfaqësues institucionesh politike në BE dhe SHBA, kanë adresuar për BE-në dhe Washingtonin. Letra vinte në dukje nevojën e një rishikimi të qëndrimeve ndaj Kosovës, kritikonte njëanshmërinë e treguar në krizën e fundit në Veri dhe bënte thirrje për ekuilibrim.

Letra në finale evidenton një problem të thellë me demokracinë në Serbi, çka përbën një deficit serioz për trajtimin e saj si partneri kryesor për politikën perëndimore në Ballkanin Perëndimor. Por për sa i takon diskutimit publik në botën shqiptare, letra dhe me të lajmi për reagimin e kryeministres serbe, ka rëndësi për të rikujtuar qëndrimet që u mbajtën ndaj Kosovës edhe në Tiranë. Sesi shkrime pas shkrimesh, koment pas komenti, lodra e dështuar e kryeministrit Rama u mbështet nga mediat nën devizën: Kurti po ndan Kosovën nga SHBA!

Është e vërtetë që ndaj Kosovës u aplikuan masa, të cilat flasin për një problem në marrëdhëniet mes saj dhe Perëndimit, mirëpo refuzimi i Prishtinës kishte edhe ai aspektin racional dhe interesin shtetëror. Sot që kritika adresohet ndaj SHBA-ve nga brenda SHBA-të, të gjithë heshtin, ndonëse Kurti nuk e paska ndarë Kosovën nga Perëndimi. Sot edhe “rruga e re” e opozitës kosovare tingëllon qesharake për nga konteksti kur u artikulua, jo pse Kurti ka të vërtetën me vete dhe as se është i kulluar, por sepse në atë përballje edhe si aspekt pragmatik, pati epërsi ndaj atyre që sugjerojnë të vetmen gjë që dinë: të thonë PO për gjithçka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *