Në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë, e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, është miratuar Projektbuxheti për vitin 2026, me vlerë prej 4 miliardë eurosh, prej të cilave 1 miliard euro janë të destinuara për investime kapitale.
Kryeministri në detyrë theksoi se ky buxhet përfshin masa të reja për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe forcimin e qëndrueshmërisë fiskale të shtetit.
Risitë kryesore të buxhetit 2026:
Paga e 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik që kanë punuar të paktën 12 muaj gjatë vitit.
Rritja e pagës bazë me 0.5% për çdo vit përvojë pune, nga 0.25% sa ishte më parë.
Rritje e pensioneve – pensioni minimal nga 120 në 150 euro, duke përfshirë rreth 200 mijë pensionistë.
Rritje prej 50% e shtesave për fëmijë që hyn në fuqi nga nëntori.
Rritje e pagës minimale në 425 euro nga janari 2026, dhe në 500 euro nga korriku 2026.
Kurti nënvizoi se ky projektbuxhet siguron “vazhdimësinë e shtetit edhe në periudhë tranzitore”, duke i bërë thirrje Kuvendit që ta miratojë para zgjedhjeve të reja.
Sipas tij, buxheti 2026 përfshin edhe rritje të mbështetjes për barnat esenciale, kulturën, sportin, bujqësinë dhe ndërmarrësit, si dhe përfundimin e reformës së asistencës sociale.
Në fund të mbledhjes, u miratua edhe dërgimi në Kuvend i buxheteve komunale për Prishtinën, Gjilanin dhe Zubin Potokun, për të shmangur vonesat në realizimin e projekteve lokale.
