Marko Millosheviq, nipi i kriminelit famëkeq Sllobodan Millosheviq, do të ulet sot në sallën e parlamentit serb pasi arriti të sigurojë mandatin e deputetit në zgjedhjet problematike të 17 dhjetorit të vitit të kaluar.

Në zgjedhjet parlamentare, nipi i Millosheviqit u rendit i treti në listën zgjedhore “Ivica Daçiç-Kryeministër i Serbisë”.

Fitorja e nipit të njeriut që kreu krime në masë kundër njerëzimit konfirmon edhe njëherë se asgjë nuk ka ndryshuar në Serbi, që prej kohës së gjenocideve dhe spastrimeve etnike. Të imagjinojmë sikur disa vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Bundestagun Gjerman të futej një i afërt i Adolf Hitlerit. Sigurisht, kjo s’mund të ndodhte, sepse Gjermania e pasluftës kaloi nëpër një proces të gjatë të çrrënjosjes së nazizmit, një gjë që nuk u tentua aspak në Serbi pas luftave të shumëfishta që regjimi i Millosheviqit kreu në rajon, me qindra mijëra civilë të masakruar, e miliona të tjerë pre e fushatave të spastrimit etnik, siç ndodhi në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë.

Lexo po ashtu:  Zgjedhjet në Serbi, Daçiç fut në listë nipin e Sllobodan Millosheviçit

Pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pas shumë vitesh filloi të zbatojë kushtetutën në plotni duke hequr dinarin serb nga përdorimi zyrtar në vend, disa nga amabasadat e vendeve të perëndimit nisën një presion iracional ndaj Republikës së Kosovës, duke pretenduar se ky akt, sado i ligjshëm dhe i domosdoshëm për të luftuar zbardhjen e parave, përbëka rrezik dhe cënim për serbët në Kosovë. Kjo sjellje jashtë çdo arsyeshëmërie shoqërohet edhe me neglizhencën e plotë ndaj faktit se në parlamentin e serbisë rikthehet nipi i Millosheviqit, me po atë gjuhë dhe program politik si gjyshi i tij i dënuar për krime kundër njerëzimit.

Vërejtje nuk iu tërhoq as presidentit serb Vuçiq kur ai publikisht i bëri lavd kriminelit Sllobodan Millosheviq, kur tha se ky ka pasur qëllimin e drejtë, por gaboi në mjete dhe strategji. Pra, tha se e përqafon idenë e pushtimit të territoreve të vendeve fqinje, por duhet të gjendet një mënyrë që këtë ta bëjnë duke evituar vrasjen në masë të civilëve, sepse kur perëndimi t’i shohë pamjet do ta bombardojnë sërish Serbinë.

Lexo po ashtu:  Flet edhe njëherë deputeti që iu vërsul Osmanit në Kuvend: Me pas dashtë me e sulmua e kisha gjuajt telefon

Kjo politikë e frikës ndaj atij që ka fuqinë më të madhe destabilizuese në rajon, pra Serbisë, e gërryen përfaqësimin që vjen nga vendet e perëndimit dhe vlerat politike që ata përfaqësojnë, e nga ana tjetër e nxisin veprimtarinë kriminale të shtetit serb që është i bindur se përsa kohë kanë armët dhe mbështetjen e Putinit, perëndimi nuk do e sanksionojë Serbinë, pavarësisht qasjes agresive dhe pushtuese.

Sakaq, në seancën e parë të parlamentit serb, opozita ka deklaruar se nuk do e njohë legjitimitetin e këtij parlamenti të dalë me vota të blera dhe të manipuluara teksa ka paralajmëruar dhe protesta jashtë sallës së parlamentit.