Nga: Gëzim Mekuli
Reagimet e Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti për rrëmbimim e të parit të Venecuelës janë të lexueshme në dy rrafshe: atë simbolik dhe atë strategjik.
Në rrafshin simbolik, ato riafirmojnë boshtin themelor të politikës së jashtme të Kosovës; aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky nuk është një pozicion i rastësishëm, por themeli mbi të cilin është ndërtuar vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës e i kombit shqiptar në tansi.
Kosova është shembulli më i drejtpërdrejtë historik se ndërhyrja amerikane, kur është e lidhur me ndalimin e krimeve të rënda shtetërore dhe mbrojtjen e civilëve (krimet serbe 1878 – 1999), ka prodhuar liri, paqe dhe shtetformim.
Në rrafshin strategjik, mbështetja retorike e Prishtinës për SHBA-në dërgon një porosi shumë të qartë: Kosova është e rreshtuar pa ekuivok në kampin euro-atlantik dhe në arkitekturën perëndimore të sigurisë dhe rendit ndërkombëtar. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një botë ku po thellohet polarizimi global dhe ku linjat gjeopolitike po ashpërsohen.
Duhet theksuar se ndërhyrja amerikane në Venezuelë është kritikuar gjerësisht në Evropë dhe në rrafshin ndërkombëtar, dhe kjo është e vërtetë. Historikisht ndërhyrjet amerikane janë kritikuar nga qeveri evropiane, juristë të së drejtës ndërkombëtare dhe intelektualë të shumtë. Noam Chomsky, për shembull, ka theksuar vazhdimisht se luftërat dhe ndërhyrjet e fuqive të mëdha rrallëherë zhvillohen vetëm për arsye humanitare; ato lidhen edhe me dominimin ekonomik, kontrollin e burimeve, korridoreve strategjike dhe influencës gjeopolitike. Shembujt nga Iraku, Libia, Amerika Qendrore, Ukraina dhe Lindja e Mesme e bëjnë këtë intervistë shumë të fortë.
Si intelektual, unë e shoh si detyrë të jem kritik, i pavarur dhe i guximshëm në analizë. Intelektuali nuk ka pse të jetë i lidhur me kufizimet e postit politik. Por politika kombëtare/shtetërore është një hapësirë shumë më e ngushtë: aty vendoset për sigurinë, mbijetesën dhe orientimin strategjik të një populli të vogël.
Nëse ka një popull në Evropë që e di çfarë do të thotë të jesh «jetim» e i pambrojtur në një botë të dominuar nga perandori, fqinjë të egër dhe superfuqi, ai është populli shqiptar. Ne kemi qenë të copëtuar pa qenë në tavolinë. Jemi ndarë, zhdukur, vrarë, përdhunuar, asimiluar, deportuar; sepse nuk kishim aleatë, por vetëm të «drejtë morale». Dhe e drejta morale, siç e kanë treguar shekujtë e moçëm XIX – XX, nuk mbron askënd pa aleancë ushtarake dhe politike.
Shkurt e shqip: shqiptarët e dinë çfarë do të thotë të jesh popull i pakrah, dhe e dimë sa e rrezikshme është të jesh “popull jetim”.
Këtu vjen edhe baraspesha; kritika akademike dhe pragmatizëm shtetëror. Prandaj unë (ndoshta) mund ta kritikoj ndërhyrjen amerikane në rrafshin teorik, juridik, retorik dhe etik, por e kuptoj plotësisht pse Tirana dhe Prishtina nuk e bëjnë këtë në rrafshin diplomatik. Sepse Kosova dhe Shqipëria, pra shqiptarët, nuk janë Norvegjia, Franca, Anglia, Gjermania, Spanja apo Brazili; ne jemi shtete të vogla, ende të brishta, në një rajon ku balancat e sigurisë janë të ndjeshme dhe ku ndikimi serb, rus dhe kinez është real.
Kosova shqiptare është një shtet i vogël, ende i sfiduar në njohje, në siguri dhe në konsolidim ndërkombëtar. Në këtë kontekst, diplomacia nuk është luks ideologjik; është instrument mbijetese.
Dhe pikërisht kjo problematikë na çon te disa pyetje thelbësore:
1. A do të duhej që Prishtina dhe Tirana të dilnin publikisht kundër SHBA-së dhe të rreshtoheshin në të njëjtën linjë me Rusinë, Kinën, Serbinë dhe aleanca që historikisht kanë qenë kundër interesit gjeopolitik shqiptar?
2. A do të ishte ky “neutralitet” apo një vetë-izolim në një botë që po polarizohet gjithnjë e më shumë?
3. Dhe e fundit: A kanë luksin popujt e vegjël të luajnë rolin e arbitrit moral global, apo janë të detyruar të rreshtohen me fuqitë që u garantojnë mbijetesë politike dhe siguri? Përgjigjja ime është e qartë: JO.
Historia botërore është e ashpër dhe e padrejtë me popujt e vegjël që kanë mbetur pa aleanca. Polonia u zhduk disa herë nga harta në shekullin XIX; shtetet baltike u fshinë nga sovraniteti për dekada; Çekosllovakia u copëtua nga marrëveshjet e fuqive të mëdha; shumë kombe të Lindjes së Mesme u fragmentuan pas ndërhyrjeve të jashtme. Mësimi është i qartë: popujt e vegjël nuk mbijetojnë vetëm me moral, por me aleanca; e këtu jemi edhe ne shqiptarët, apo jo?
Kjo do të thotë se Prishtina dhe Tirana duhen të jenë e kujdesshme, pragmatike dhe strategjike. Rreshtimi me SHBA-në dhe me aleatët kryesorë perëndimorë nuk është thjesht «pëlqim politik», por zgjedhje ekzistenciale.
Unë e shtroj edhe një pyetje retorike për lexuesin shqiptar: A ka vend për kritikë ndaj ndërhyrjes amerikane? Po.
A ka vend për shkëputje diplomatike nga SHBA? Absolutisht jo.
Shtrohet pyetja: si ndikon ky qëndrim në marrëdhëniet me aleatët?
Qëndrimi retorik/diplomatik i Kosovës forcon besueshmërinë e saj strategjike. Ky qendrim e paraqet Kosovën si partner të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe të rreshtuar qartë.
Në diplomaci, kjo ka vlerë të jashtëzakonshme. Aleatët investojnë më lehtë në shtete që nuk luhaten në momentet e tensionit global.
Në fund të fundit, kjo nuk është çështje «pëlqimi» ndaj çdo veprimi amerikan, por çështje e pozicionimit historik të Kosovës: ne jemi pjesë e Perëndimit, jo vetëm gjeografikisht, por politikisht, strategjikisht dhe civilizimisht.
Dhe ky pozicionim është garancia jonë më e fortë për paqe, siguri dhe shtetësi të qëndrueshme.
