Dy prej intelektualëve më të shquar të kohës sonë, Blendi Fevziu dhe Ylli Rakipi, dikutonin dje për një temë shumë aktuale dhe të dukshme: servilizmi dhe nënshtrimi gati relfkektiv i të rinjve të sotshëm. Të shkolluar jashtë, të rritur në kushte shumë të mira dhe të paprivuar nga liritë dhe të drejtat , këta të rinj shpalosin një kulturë që të lë gojëhapur.

Edi Rama është 10 hapa para. Ai mendon më shumë për Shqipërinë sesa për vete. Edi Rama nuk ka asnjë të metë.

Ja disa deklarata të rinjsh me emrat Ilda, Roi apo Helena për kryeministrin. Të dy intelektualët e pavarur ishin të çmeritur nga ky lloj manifestimi, duhet thënë i neveritshëm.  Me këtë rast Fevizu u bëri një thirrje të rinjve: Mos u servilosni, por përkushtohuni në profesion! Patjetër, nën shembullin e tij.

Çështja në fjalë është shumë e rëndësishme: si shpjegohet që kjo kulturë të ketë vend dhe të frymojë sot? Kaq hapur, kaq çlirët dhe shpenguar, mes njerëzve që duhet të kishin kuptuar se fati i ka privilegjuar me Lirinë. Por edhe Mirëqenien! Këta të rinj nuk janë naivë. Ata e dinë shumë mirë se çfarë po thonë dhe pse. Ata po investojnë për rrugën e shkurtër, karrierën e lehtë, qylin që është kultura jonë kryesore.

Lexo po ashtu:  Kosova duhet ta injorojë Jugo-Kompleksin e elitave të Tiranës

Po çfarë ka këtu për t’u habitur? Dikur Konica fliste për Levantinin në Shqipëri. Na dukej diçka e largët dhe argëtuese, por Levantini është formacioni kryesor psikologjik në këtë vend. Shqipëria e Enver Hoxhës gëlonte nga tipa levantinë në llojin e tyre dhe megjithë propagandën e bërë, ata triumfuan. Fëmijët e Bllokut ishin ca të tillë, një kiç në mes të Shqipërisë.

Pse duhet të befasohemi atëherë kur shohim të njëjtën gjë? A nuk e quajmë mes nesh, në biseda dhe diskutime, si zgjuarësi të qenit i futur, marifetçiun, hileqarin, mashtruesin e kështu me radhë? Pse servilizmi qenka më keq se këto? Vetë Edi Rama është shembulli i servilit, njeriut me komplekse që arriti majën e pushtetit. Ka video mjaftueshëm ku ai shfaqet si manari i Ilir Metës, kur i shkon me lule në spital Fatos Nanos, kur i shmangej si djalli temjanit Edi Palokës, kur lutej për titra lajmesh, apo kur hynte e dilte kokëulur si gjynahqar nga zyra e Gramoz Ruçit.

E kemi parë videon e Ogerta Manastirliut adoleshente sesi i servilosej publikisht Edi Ramës? Po ç’mund të themi për Elisa Spiropalin, apo atë ministren e Sipërmarrjes?! Po këta “burrat” që i rrinë vërdallë? I kemi parë të gjithë sesi shtrëngohen kur hyn kryetari se helbete, ai u ka në dorë të ardhmen e ndritur.

Lexo po ashtu:  I ri dhe e re je por arsye ke

Ku qëndron pra e reja? Edhe Edi Rama hyn te njerëzit me familje të privilegjuar në kohën e Hoxhës. Kjo nuk e pengoi të jetë një nga lëpirësit më antioksidues që ka patur politika. Po Mirela Kumbaro? Ministresha që qesh vesh më vesh. Një jetë në fakultet, e me fondacionin “Soros”, sërish hosananë e ka tabiat të lindur.

Të mos habitemi pra fare. Liria nuk ka vend në Atdheun e Shqiponjave. Kjo është propagandë, është Mit. Personaliteti dhe Dinjiteti, janë mall që shiten në kosto mes nesh. Kështu që ta lëmë mendjen të lirë nga imagjinata e induktuar në shkollë se jemi shoqëri me cilësi e të tjera e të zbresim në tokë. Në baltën tonë, aty ku harbon dhe gjallon në mënyrë vitale, shushunja, këpusha dhe miza e buallit. Pa dilema dhe keqardhje. Ta shohim veten në sy e ta themi: Shqipëria, vendi që ia jep shansin çdo budallai!

s.zaimi