Zëdhënësi i Presidentes së Republikës së Kosovës, Bekim Kupina, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të publicistit Lirim Mehmetaj, duke i cilësuar ato si thirrje të drejtpërdrejta për dhunë, urrejtje dhe sulm ndaj Presidentes Vjosa Osmani.
Në reagimin e tij zyrtar, Kupina thekson se thirrja e Mehmetajt që Presidentes “t’i prehet koka” përbën një kërcënim serioz dhe nxitje të hapur të dhunës, duke sqaruar se një gjuhë e tillë nuk mbrohet nga liria e shprehjes e garantuar me Kushtetutë apo ligj, as në Kosovë dhe as në asnjë vend demokratik. Ai u ka bërë thirrje organeve kompetente që, sipas detyrës zyrtare, ta trajtojnë menjëherë këtë rast.
Sipas Kupinës, deklarimet e Mehmetajt ndaj Presidentes janë tërësisht të pabazuara dhe përbëjnë shpifje të rënda, të ndërtuara mbi gënjeshtra të përsëritura, me qëllim diskreditimin personal dhe institucional të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe familjes së saj. Ai thekson se këto deklarime nuk synojnë debat publik apo kritikë politike, por denigrim të qëllimshëm dhe nxitje të një klime urrejtjeje.
Reagimi vë në pah se Mehmetaj, i përshkruar si përhapës i njohur i dezinformatave, sa herë që i mungojnë argumentet, riciklon fyerje, trillime, kërcënime dhe akuza pa asnjë bazë faktike, duke përdorur gjuhë linçuese dhe insinuata që, përveçse dëmtojnë reputacionin institucional, nxisin edhe kërcënime dhe dhunë ndaj Presidentes dhe familjarëve të saj.
Kupina ka mohuar kategorikisht pretendimet se Presidentja Osmani ka kërcënuar, shantazhuar apo ushtruar presion politik ndaj kujtdo, duke theksuar se çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe përbën manipulim të qëllimshëm të opinionit publik. Po ashtu, ai ka cilësuar si shpifje flagrante dhe tërësisht të pavërteta akuzat për korrupsion, shitje vote, pasuri multimilionëshe, investime në Shqipëri dhe pretendime të tjera të ngjashme.
Në reagim përmenden edhe shpifjet e vazhdueshme ndaj babait të Presidentes, për të cilin Kupina kujton se ka qenë i burgosur dhe i torturuar në burgjet e regjimit të Millosheviqit. Ai thekson se për këto akuza tashmë ekzistojnë vendime të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilat i kanë vërtetuar si të pavërteta, ndërsa Lirim Mehmetaj do të përballet me padi për shpifje.
Kupina e ka cilësuar veçanërisht alarmuese gjuhën e përdorur në këto sulme, ku përveç shpifjeve dhe trillimeve, bëhen thirrje të hapura për dhunë, përfshirë referenca për prerje kokash dhe linçim. Sipas tij, kjo nuk përbën as kritikë dhe as opinion, por një diskurs të rrezikshëm që synon dehumanizim dhe nxitje të drejtpërdrejtë të dhunës ndaj Presidentes dhe familjarëve të saj.
Në fund, zëdhënësi i Presidentes ka ritheksuar se liria e shprehjes nuk mund të justifikojë shpifjen, nxitjen e urrejtjes apo të dhunës dhe se Presidentja e Republikës së Kosovës dhe familja e saj do të ndjekin rrugën ligjore ndaj Lirim Mehmetajt, duke shfrytëzuar të gjithë mekanizmat juridikë në dispozicion.
Postimi i Plotë:
REAGIM NDAJ THIRRJES SË LIRIM MEHMETAJT QË PRESIDENTES T’I PRITET KOKA
DHE NJOFTIM PËR NDËRMARRJEN E HAPAVE LIGJORË NDAJ SHPIFJEVE DHE KËRCËNIMEVE TË TIJ
Thirrja e Lirim Mehmetajt që Presidentes së Republikës së Kosovës t’i prehet koka përbën thirrje të drejtpërdrejtë për dhunë, urrejtje dhe sulm. Kjo nuk është liri e shprehjes e mbrojtur me ligj apo Kushtetutë, as në Kosovë dhe as në asnjë vend tjetër demokratik. Për këtë arsye, u bëjmë thirrje organeve kompetente që, sipas detyrës zyrtare, ta trajtojnë menjëherë këtë kërcënim dhe nxitje të dhunës e urrejtjes nga ana e tij.
Deklarimet e Lirim Mehmetajt kundër Presidentes janë tërësisht të pabazuara dhe përbëjnë shpifje të rënda, të ndërtuara mbi gënjeshtra të përsëritura, me qëllim diskreditimin personal dhe institucional të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe familjes së saj. Këto deklarime nuk synojnë debat publik apo kritikë politike, por denigrim të qëllimshëm dhe nxitje të një klime urrejtjeje.
Si përhapës i njohur dhe i konfirmuar i dezinformatave, sa herë që i mungojnë argumentet, Mehmetaj riciklon fyerje, trillime, kërcënime dhe akuza pa asnjë bazë faktike, duke përdorur gjuhë linçuese dhe insinuata që, përveçse dëmtojnë reputacionin institucional, nxisin edhe kërcënime dhe dhunë ndaj Presidentes dhe familjes së saj.
Presidentja Osmani nuk ka kërcënuar, nuk ka shantazhuar dhe nuk ka ushtruar asnjëherë presion politik ndaj askujt. Çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe përbën manipulim të qëllimshëm të opinionit publik. Po ashtu, pretendimet për korrupsion, shitje vote, pasuri multimilionëshe, investime në Shqipëri e deklarime të tjera, janë shpifje flagrante dhe tërësisht të pavërteta.
Shpifjet e vazhdueshme të Mehmetajt kundër babait të Presidentes, i cili në fakt ka qenë i burgosur dhe i torturuar në burgjet e Millosheviqit, dëshmojnë se shpërndarja e qëllimshme e këtyre trillimeve për qëllime propagandistike përbën një akt të ulët dhe moralisht të papranueshëm. Për këto akuza tashmë ekzistojnë vendime të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilat i vërtetojnë si të pavërteta. Për rrjedhojë, Lirim Mehmetaj do të përballet me padi për shpifjet e tij.
Është veçanërisht alarmuese gjuha e përdorur në këto sulme, ku përveç shpifjeve dhe trillimeve, bëhen thirrje të hapura për dhunë, përfshirë referenca për prerje kokash dhe linçim. Kjo nuk është as kritikë dhe as opinion, por diskurs i rrezikshëm që synon dehumanizim dhe nxitje të drejtpërdrejtë të dhunës ndaj Presidentes dhe familjarëve të saj. Një gjuhë e tillë përbën kapërcim të çdo kufiri moral, njerëzor dhe ligjor dhe nuk mund të tolerohet në një shoqëri demokratike.
Liria e shprehjes nuk përfshin dhe nuk mund të justifikojë shpifjen, nxitjen e urrejtjes apo të dhunës. Akuza të rreme, fyerje dhe gënjeshtra të fabrikuara nuk përbëjnë opinion, por cenim serioz të dinjitetit personal dhe institucional, të ndaluar nga Kushtetuta dhe ligji.
Për këto arsye, sikurse edhe më parë, Presidentja e Republikës së Kosovës dhe familja e saj do të ndjekin rrugën ligjore ndaj Lirim Mehmetajt. Vazhdimi i kësaj fushate shpifëse dhe i kërcënimeve do të trajtohet përmes të gjithë mekanizmave juridikë në dispozicion.
