Kohëzgjatja e leximit: 9 minuta

Mediat dhe Politika/ Në epokën e zhurmës informative, kush po mendon për ty e për mua?

Gëzim Mekuli, Oslo

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

Ne, shqiptarët, jemi duke jetuar në një kohë në të cilën njeriu, çuditërisht, mund të dijë shumë më tepër për atë që ndodh në botë dhe, në të njëjtën kohë, të kuptojë shumë më pak prej saj. Çdo mëngjes, para se të kemi filluar ditën, telefoni na sjell një botë të tërë në ekran: luftëra, kërcënime, deklarata politike, rrena, kriza ekonomike, protesta, skandale, sondazhe, video, komente, reagime dhe “lajme të fundit” që pas pak minutash zëvendësohen nga një lajm tjetër. Njeriu nuk ka më nevojë të kërkojë informacionin; informacioni e kërkon njeriun; lajmi na futet në shtëpi, në tavolinën e mëngjesit, në autobus, në vendin e punës dhe, shpesh, edhe në shtratin ku duhet të pushojë me gruan apo burrin. Ky bollëk informacioni duhej të na kishte bërë si komb më të ditur; Por a na ka bërë vërtet më të ditur dhe më të mençur?

Pyetja nuk është e parëndësishme, sidomos në një kohë kur lajmi po humbë gjithnjë e më shumë kufirin që dikur e ndante nga komenti, propaganda, rrena dhe spektakli. Në vend të një gazetarie që e ndihmon qytetarin të kuptojë një ngjarje a një ndodhi, ne përballemi me një industri të tërë të prodhimit të reagimeve. Nuk kërkohet më që lexuesi ta kuptojë një zhvillim; kërkohet që ai të zemërohet, të frikësohet, të indinjohet, të zgjedhë menjëherë një anë dhe, mbi të gjitha, të klikojë. Kështu, lajmi nuk përfundon te informimi i qytetarit, por vazhdon jetën e tij si mall në tregun e vëmendjes.

Edhe në Norvegji, ku tradita e gazetarisë serioze dhe e debatit publik është e fuqishme, kjo krizë e lajmit po diskutohet me shqetësim. Studimet e “Reuters Institute” për konsumin e lajmeve tregojnë se besimi në media nuk është më ai që dikur merrej si i mirëqenë dhe se një pjesë e konsiderueshme e publikut norvegjez dhe gjerman po i shmang lajmet, veçanërisht kur ato perceptohen si tepër negative, konfliktuale ose emocionalisht rraskapitëse. Kjo është një dukuri që duhet të na shqetësojë më shumë sesa vetë rënia e lexueshmërisë dhe shikueshmërisë së një gazete apo televizioni. Sepse kur qytetari lodhet nga lajmi, ai nuk bëhet domosdoshmërisht më i lirë; mund të bëhet thjesht më indiferent. Dhe indiferenca politike e qytetarit është terren i përshtatshëm për çdo propagandë. Apo jo?

Lexo po ashtu:  Sot, në përvjetorin e 101 të vdekjes së Ismail Qemalit, nderojmë kujtimin e tij, Vazhdon përpjekja për një shtet të Bashkuar dhe të begatë Shqiptar.

Rrena nuk është problemi i vetëm
Në këtë pikë duhet bërë një dallim i rëndësishëm: problemi i sotëm nuk është vetëm rrena. Propaganda moderne nuk ka nevojë gjithmonë të shpikë një fakt të rremë. Ajo mund të përdorë një fakt të vërtetë, ta shkëpusë nga rrethanat, ta vendosë në një titull dramatik dhe ta përsërisë aq shumë saqë ai të fillojë të duket si e vetmja e vërtetë e mundshme. Mund të heshtë për një pjesë të rëndësishme të historisë, të zgjedhë një fotografi të caktuar, të nxjerrë një fjali nga një deklaratë e gjatë ose të vendosë një ngjarje në një kornizë që ia ndryshon kuptimin. Prandaj pyetja e shqiptarit të informuar nuk duhet të jetë sall: “A është ky fakt i vërtetë?”, por edhe: “Pse po më tregohet mua pikërisht ky fakt, në këtë mënyrë dhe pikërisht tani?”

Kjo pyetje është veçanërisht e rëndësishme në epokën e rrjeteve sociale; sepse algoritmi nuk ka për detyrë të na edukojë. Ai nuk është mësues i qytetarisë dhe as filozof i së vërtetës. Media sociale është e ndërtuar për të mbajtur vëmendjen. Për këtë arsye, përmbajtja që shkakton reagim të fortë ka një përparësi të madhe ndaj përmbajtjes që kërkon qetësi, durim dhe përqendrim. Një analizë prej dy mijë fjalësh, e mbështetur në dokumente dhe burime, mund të humb përballë një videoje prej tridhjetë sekondash, në të cilën dikush bërtet, çmendet, akuzon dhe shpall se “e vërteta” më në fund është zbuluar. Kjo nuk është vetëm një çështje e teknologjisë; është një ndryshim i mënyrës se si ndërtohet opinioni publik. Apo jo, të dashur lexues të MekuliPress?

Mungesa e kohës
Nëse dikur gazetari kishte kohë të verifikonte, të kërkonte dokumente, të fliste me burime dhe të konsultonte njerëz që kishin njohuri për një çështje, sot ai përballet me një ritëm të ri. Ngjarja duhet publikuar menjëherë, reagimi duhet ardhur menjëherë, paneli televiziv duhet të ketë menjëherë një opinion, ndërsa rrjetet sociale tashmë kanë prodhuar mijëra gjykime. Në këtë garë për shpejtësi, ajo që humb është pikërisht ajo që i jep vlerë gazetarisë: verifikimi dhe konteksti. Një shoqëri që e zëvendëson pyetjen me reagimin dhe analizën me ndenjën, dalëngadalë humb edhe aftësinë për të menduar në mënyrë të pavarur.

Lexo po ashtu:  Kurti: Në Kosovë për më shumë se dy dekada ka sunduar paligjshmëria

E bash këtu qëndron edhe përgjegjësia e mediave; media nuk është thjesht një aparat që transmeton atë që thotë politikani. Gazetari nuk është stenograf i pushtetit dhe analisti nuk është dekor i studios televizive. Një shoqëri demokratike ka nevojë për media që dinë të pyesin, të dyshojnë, të verifikojnë dhe, kur është e nevojshme, të kundërshtojnë. Nëse gazetari e merr deklaratën e politikanit dhe vetëm ia përcjell publikut, pa e kontrolluar, pa e krahasuar dhe pa e vendosur në kontekst, atëherë ai nuk po kryen funksionin e gazetarisë; ky gazetar apo gazetare po shërben sall si përcjellës i një komunikimi të çoroditur politik. Apo jo?

Ky marifet bëhet edhe më i rrezikshëm në periudha tensioni politik ose ndërkombëtar. Kur kombi ndodhet përballë kërcënimeve, sulmeve, krizave apo pasigurive, njerëzia janë më të prirur t’u besojnë lajmeve që përputhen me frikën e tyre. E pikërisht atëherë kërkohet më shumë maturi nga mediat, jo më pak; një gazetari serioze nuk duhet ta ushqejë panikun vetëm sepse paniku sjell shikueshmëri. Përkundrazi, duhet ta ndihmojë publikun të dallojë atë që dihet nga ajo që hamendësohet, faktin nga interpretimi dhe kërcënimin real nga ekzagjerimi politik dhe mediatik.

Roli i qytetarit
Por përgjegjësia nuk i takon vetëm gazetarit. Edhe qytetari duhet të mësojë të jetë lexues më intelegjent. Nuk mjafton të lexosh një titull dhe të besosh se ke lexuar një lajm; nuk mjafton të shohësh një video dhe të mendosh se ke parë realitetin; nuk mjafton që një informacion të përsëritet nga dhjetë portale a faqe për ta bërë atë të vërtetë. Sepse dhjetë faqe që kopjojnë njëra-tjetrën nuk janë dhjetë burime; janë, në të vërtetë, një burim i vetëm i shumëfishuar. Apo jo, të nderuar lexues?

Prandaj qytetari duhet të rikthejë një zakon që epoka e shpejtësisë po e humb: të ndalet e të mendoj. Të lexojë artikullin dhe jo vetëm titullin; të shohë se kush e ka publikuar; të kontrollojë datën dhe burimin; të kërkojë dokumentin kur dokumenti ekziston; të lexojë edhe një burim tjetër, veçanërisht kur lajmi i parë i ka shkaktuar një emocion të fortë. Sepse pikërisht në momentin kur njeriu ndien se duhet ta shpërndajë menjëherë një lajm, ndoshta duhet ta pyesë veten pse po ndien një gazep të tillë që ta shpërndaj lajmin. Pajtoheni me mua, të nderuar lexues?

Lexo po ashtu:  Marrëveshja eTregtisë së Lirë Kinë - Serbi, unike në Europë

Konsekuent deri në pikë të fundit: kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet t’u besojmë mediave shqipe. Përkundrazi, një komb pa media serioze është edhe më e rrezikshme. Por besimi nuk mund të jetë më besim çorazi. Bile-bile as mosbesimi paushall nuk është zgjidhje. Të thuash se “të gjitha mediat gënjejnë” është po aq e rrezikshme sa të besosh çdo gjë që shkruan një portal apo paraqet një televizion; në të dyja rastet, njeriu heq dorë nga gjykimi i vet. Njëra palë ia dorëzon mendjen autoritetit të medias; pala tjetër ia dorëzon atë cinizmit.

Ajo që na duhet sot është diçka më e vështirë: gjykimi kritik.

Ndoshta kjo është edhe beteja më e rëndësishme e kohës sonë. Jo beteja për të pasur sa më shumë informacion, sepse informacion kemi më shumë se ç’mund të përpunojmë. Beteja jonë është për të ruajtur aftësinë për të dalluar informacionin me vlerë nga zhurma, faktin nga manipulimi, kritikën nga shpifja dhe gazetarinë nga propaganda. Në një botë ku secili mund të botojë, komentojë dhe shpërndajë, vlera e gazetarisë serioze nuk zvogëlohet; përkundrazi, bëhet edhe më e madhe.

Sepse në fund të fundit, rreziku më i madh nuk është se qytetari do të besojë një lajm të rremë; rreziku më i madh është që, pas mijëra lajmesh, mijëra debatesh dhe mijëra britmash dhe jargitjeve, njeriu të arrijë në përfundimin se asgjë nuk është e vërtetë dhe se prandaj nuk ia vlen të mendojë më për lajmin.
E bash në këtë çast propaganda ka arritur qëllimin e saj më të madh: nuk të ka bindur domosdoshmërisht për një gënjeshtër, por të ka bindur se e vërteta nuk mund të gjendet më në mediat shqipe. /MekuliPress/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com