Udhëheqësit austriakë kanë bërë thirrje për unitet kombëtar pas një mjeke që u përball me kërcënime për vdekje nga aktivistët kundër vaksinimit dhe teoricienët e konspiracionit të pandemisë së coronavirusit, i ka dhënë fund jetës.

“Le t’i japim fund këtij kërcënimi dhe nxitjeje frike. Urrejtja dhe intoleranca nuk kanë vend në Austrinë tonë”, tha presidenti Alexander Van der Bellen, që cilësoi Lisa-Maria Kellermayr si një mjeke që qëndronte për shërimin e njerëzve, mbrojtjen e tyre nga sëmundjet dhe që mori një qasje të kujdesshme ndaj pandemisë.

“Por disa njerëz janë tërbuar nga kjo. Dhe këta njerëz e frikësuan atë, e kërcënuan, fillimisht në internet dhe më pas edhe personalisht, drejtpërdrejt në praktikën e saj”.

Trupi i doktoreshës – e cila kishte dhënë shpesh intervista në media për luftimin e pandemisë së coronavirusit dhe promovimin e vaksinimeve – u gjet në zyrën e saj të premten.

Prokurorët thuhet se kishin gjetur një shënim vetëvrasjeje dhe nuk po planifikonin një autopsi.

Austria muajin e kaluar hoqi dorë nga planet për të futur vaksinimin e detyrueshëm ndaj COVID-19 për të rriturit, duke thënë se nuk kishte gjasa që masa të rriste një nga normat më të ulëta të vaksinimit në Evropën Perëndimore.

Lexo po ashtu:  Kjo është hudhra e Rahovecit për të cilën Daut Demaku tha se e shëron coronavirusin

Dhjetëra mijëra njerëz kishin marshuar në protesta të rregullta kundër bllokimeve vitin e kaluar dhe planeve për t’i bërë të detyrueshme vaksinimet, duke theksuar një ndarje sociale mbi masat e shëndetit publik që kanë përjetuar shumë vende.

Por vdekja e mjekes — për të cilën shoqata e mjekëve austriakë tha se pasqyronte një prirje më të gjerë kërcënimesh kundër personelit mjekësor — tronditi vendin.

“Urrejtja kundër njerëzve është e pafalshme. Kjo urrejtje duhet të ndalet më në fund”, tha ministri i Shëndetësisë, Johannes Rauch. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *