“Të organizosh një hidhërim, të ndërtosh një mit.”… Diktatura e pikëllimit; kur media na tregon edhe për kë duhet të vajtojmë

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

Nga Gëzim Mekuli, njohës i shkencave të mediave dhe retorikës

Është shqetësuese mënyra se si media shqiptare, në Prishtinë dhe Tiranë, po e trajton “dhimbjen publike”.

Sot, e gjithë ditës, media shqiptare po provon të na tregojë çka duhet të ndiejmë, për kë duhet të vajtojmë, sa duhet të vajtojmë dhe, biles, kur duhet të dalim në rrugë të protestojmë.
E kjo nuk është më vetëm gazetari: Është pushtet mbi emocionin dhe të menduarit.

Pse e them këtë të dashur lexues?

E them këtë sepse pas më shumë se shtatë dekadash, mendimi i shkrimtarit suedez Stig Dagerman bëhet i frikshëm në aktualitetin tonë, e veçanërisht për gazetarinë shqiptare.

Në esenë e tij “Diktatura e pikëllimit”, Dagermani shkroi për rrezikun që shfaqet kur hidhërimi spontan i njerëzve shndërrohet në një emocion të organizuar nga media dhe politika.

Ai e përkufizonte këtë rrezik me një formulim të jashtëzakonshëm: “Të organizosh një hidhërim, të ndërtosh një mit.”

Të nderuar,
Çfarë ndodh kur media nuk kënaqet më duke raportuar një tragjedi, por fillon të organizojë pikëllimin rreth tragjedisë?
Çfarë ndodh kur një viktimë vendoset në qendër të mediave, ndërsa një tjetër “harrohet?”
Çfarë ndodh kur një vdekje, a një ndodhi, kthehet në protestë, ndërsa një tjetër mbetet vetëm një lajm i shkurtër?

Apo edhe më keqja: Kur një dhimbje quhet “kombëtare”, ndërsa një tjetër trajtohet sikur nuk ekziston hiq?

Lexo po ashtu:  Qeveria Kurti 'Zero' tolerancë ndaj krimit/ Ky është aksioni i radhës i policisë, arreston 6 persona

Atëherë, të dashur lexues, të jeni të sigurt se, nuk kemi më vetëm informacion, por kemi hierarki, shefa të lajmit dhe kontrollues të dhimbjes.

Shtrohet pyetja: Kush vendos se për kë duhet të qajmë, të kukasim e të protestojmë?
Kjo është pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes përditë e përnatë.

Sepse, tek e fundit, jo çdo dhimbje e empati është e njëjtë për çdo njeri; Jo çdo tragjedi na prek njësoj. Dhe kjo është normale, sepse njeriu i lirë ka të drejtë të ndiejë edhe ndryshe, apo jo?

Por kur media, përmes përsëritjes, titujve, fotografive, gjuhës emocionale dhe presionit të opinionit publik, krijon përshtypjen se vetëm një reagim është i pranueshëm, atëherë diçka nuk shkon.

Dagerman shqetësohet nga fuqia e jashtëzakonshme që krijohet kur i gjithë sistemi informativ i një shteti vihet njëkohësisht në lëvizje për të njëjtin qëllim: të organizojë hidhërimin, pikëllimin, protestën, vajtimin, kukatjen dhe të ndërtojë një mit.

Për Dagermanin, kjo ishte një lloj “diktature në funksion”: Por jo domosdoshmërisht një diktaturë politike në kuptimin klasik, por një diktaturë e krijuar përmes shtypit, (TV, portale, radio) opinionit publik dhe normave shoqërore. Ai argumenton se një demokraci që pezullon vetveten në një çështje kaq themelore duhet të shqetësojë çdo njeri demokrat më shumë sesa vetë zia kombëtare.

Dagerman sjell shembuj konkret: Edhe institucionet shtetërore u përfshinë në këtë atmosferë zie. Dyqanet u shndërruan, përmes portreteve, shiritave të zinj, flamujve dhe qirinjve, në një lloj “kapelash komerciale”. Edhe programet muzikore në radio u ndryshuan për t’iu përshtatur atmosferës së zisë. (Është fjala konkretisht për hidhërimin kombëtar Suedez që pasoi me vdekjen e Gustav V. Ky artikull shkaktoj reagime të fuqishme…)

Dagermani ironizon edhe faktin se kjo atmosferë zie përfshiu njerëz dhe organizata që nuk kishin ndonjë lidhje reale me vdekjen e mbretit suedez. Ai pyet: pse duhet të shtireni sikur një humbje është edhe humbja juaj vetëm sepse shoqëria pret që ju ta bëni këtë?

Lexo po ashtu:  Shqipëria jonë merr PO-në për negociatat/ Ministri gjerman i Evropës: Urime për Tiranën, është e merituar

Pastaj vjen argumenti më i rëndësishëm politik.
Dagermani thotë se demokracia nuk duhet të kuptohet vetëm si mekanizëm pushteti: Demokracia dikur kishte edhe një përmbajtje shpirtërore: ajo nënkuptonte një mënyrë jetese, dinjitet dhe mbi të gjitha paprekshmërinë e individit.

Dhe pikërisht këtu ai sheh problemin e “diktaturës së hidhërimit”: Një person u ngrit mbi të gjithë të tjerët, ndërsa njeriu i zakonshëm u la në hije.

Njeriu i zakonshëm, sipas Dagermanit, përjetoi poshtërimin e të qenit i braktisur nga ata që normalisht pretendonin se flisnin në emër të tij. I gjithë diskursi publik i jepte përshtypjen se ajo që kishte ndodhur ishte një humbje aq e madhe, saqë asnjë fatkeqësi tjetër, sado e madhe, nuk mund të krahasohej me të.

E bash këtu është pika ku artikulli “Diktatura e hidhërimit” bëhet jashtëzakonisht aktuale për botën e sotme shqiptare:
Kur media, a një pushtet, vendos se për kë duhet të vajtojmë, sa duhet të vajtojmë, në cilën ditë duhet të vajtojmë e të protestojmë dhe si duhet të vajtojmë, ajo nuk po kontrollon më vetëm informacionin: po prek edhe lirinë e individit.

Është me rëndësi të nënvizohet se Dagerman nuk sulmonte pikëllimin spontan: përkundrazi, ai shkruante: “Hidhërimi spontan nuk duhet sulmuar; ai duhet respektuar, ashtu si çdo ndjenjë e sinqertë.”

Pra, problemi fillon atëherë kur dhimbja dhe pikëllimi nuk është më vetëm e jona.
Problemi fillon kur dikush tjetër na thotë si dhe për kë duhet ta përjetojmë pikëllimin.

Në fund të fundit, publiku nuk pyet më: Çfarë ka ndodhur?, por pyet: Kush është armiku? Kë duhet të mbështes?, Kë duhet të urrej?, Për kë duhet të protestoj e për kë jo?

Lexo po ashtu:  Bojkotohet inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë që do menaxhohet nga turqit

Të nderuar lexues,
Liria quhet e drejta jote për të mos qarë kur të tjerët qajnë; e drejta jote për të qarë kur të tjerët heshtin; e drejta jote për të protestuar, por edhe e drejta për të mos protestuar.
Liria është të solidarizohesh me viktimën pa u detyruar të pranosh gjithë retorikën që ndërtohet rreth saj. Por edhe të dënosh një krim pa u bërë pjesë e një turme urrejtjeje.

Dhe mbi të gjitha:
Liria është të mendosh me kokën tënde. Sepse hidhërimi, pikëllimi dhe vuajtja është një nga ndjenjat më intime të njeriut, nuk është pronë e medias, e partive politike, e pushtetit apo e turmës.

Edhe diçka: Stig Dagermani nuk na jep një recetë për gazetarinë dhe politikën e sotme shqiptare. Por ai na jep diçka ndoshta më të vlefshme: etika duhet të ekzistoj në media dhe në politikë.

Hidhërimi i organizuar nga media dhe politika është i neveritshëm, sepse në thelb është pa ndjenjë, lakmitar dhe i falsifikuar.

Atëherë kur media nuk mërzitet më të na tregojë se çfarë ka ndodhur, por fillon t’i tregojë publikut se çfarë duhet të ndiejë, hidhërimi mund të shndërrohet në një instrument të fuqishëm të ndikimit në publik. Dhe pikërisht këtë rrezik e pa Stig Dagerman qysh në vitin 1950.

Konsekuent deri në fund: në atë dakik kur media fillon të na përcaktojë edhe dhimbjen, atëherë kjo nuk po e kontrollon vetëm informacionin; Por po prek diçka shumë më të thellë: lirinë e të menduarit dhe të vepruarit tonë kolektiv.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com